Kombëtarja shqiptare e basketbollit nuk mundi të bëjë dot surprizën përballë Austrisë, duke u mundur me rezultatin 63-99. Interesi në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” ishte i madh, me tifozët që mbështesnin skuadrën kuqezi.
Fillimi ishte i mirë për ekipin e Erkand Karajt, që u përpoq të mbante ritmin, por rivalët austriakë ishin më të saktë para koshit dhe mbyllën pjesën e parë me rezultatin 35-50, shkruan A2 CNN.
Edhe pas pushimit, kuqezinjtë e kishin të vështirë të reagonin dhe miqtë thelluan dhe më shumë diferencat në periodën e tretë, që u mbyll me rezultatin 47-82. Në fund edhe lodhja fizike u ndje në parket, ndërsa gjithçka përfundoi me rezultatin final 63-99.
Vëmendje të veçantë mori dhe basketbollisti Endrit Hysenagolli, i cili vendosi të tërhiqet përfundimisht nga kombëtarja shqiptare. Në moshën 36-vjeçare, Hysenagolli tregoi se ishte momenti i duhur, ndërsa fshehu dhe emocionet e 19 viteve si pjesë e kuqezinjve.
Shqipëria është në grup me Austrinë dhe Armeninë. Pas dy ndeshjeve në paraeliminatoret e Botërorit, regjistron dy humbje dhe aktualisht pozicionohet e fundit në grup. Ndeshja e radhës do të jetë në 20 shkurt, përballë Armenisë në shtëpi. (A2 Televizion)