
Një sherr masiv ndodhi gjatë ndeshjes së NBA mes Golden State dhe Minnesotas, fituar 104-101 nga miqtë. Pas vetëm një minute e gjysmë që kishte nisur loja, në fushë ndodhi një incident i rëndë, që solli 3 lojtarë të përjashtuar.
Fillimisht u kapën në fushë basketbollistët Klay Thompson e Rudy Gobert, që solli ndërhyrjen e gjyqtarëve dhe të lojtarëve të tjerë. Menjëherë reagon edhe Draymond Green, që kap për fyti Gobert si në duelet e UFC dhe e tërheq zvarrë në fushë.
Në fushë hyjnë edhe lojtarët e stolit që ndajnë lojtarët. Për fat të mirë, asnjë grusht apo pasojë të rënda fizike për lojtarët, as për Gobert që u kap nga fyti. Gjithsesi, tre basketbollistë dolën nga loja me teknike përjashtimi: Klay Thompson e Draymond Green për Golden State si dhe Rudy Gobert për Minnesota.
Kjo solli mjaft probleme për Warriors, që para ndeshjes kishin humbur për dëmtim edhe Stephen Curry e në fund kjo ndikoi edhe në rezultatin final. Humbja e katërt radhazi për Golden State, që ndodhet në krizë në NBA.
Fiton skuadra e Lakers, që mundi 134-107 Memphis, duke korrur suksesin e tretë radhazi. Një lojë e mirë kolektive e Lakers, ku 7 lojtarë realizuan mbi 10 pikë. Denver ruan kreun e renditjes në Perëndim, pas fitores 111-108 ndaj Clippers. U dallua Jokic me 32 pikë e 16 rebound.
Në Lindje, humbet ekipi kryesues i Philadelphia, që u mund në shtëpi 132-126 nga Indiana. Ndeshje me rivalitet, ku për miqtë u dallua Haliburton me 33 pikë e 15 asist. Fiton edhe skuadra e Miami, që falë 32 pikëve të Butler mundi 111-105 Charlotte, ndërsa Atlanta mposhti 126-120 Detroit (Murray 32 pikë). (A2 Televizion)