Kupat e Europës në volejboll, merret vendimi: Tirana-Makabi Tel Aviv luhet në Strumicë

Nga Krist Martiro
2 Nëntor 2023, 16:23 | Sporte të tjera

Merr fund kalvari i pritjes dhe ndryshimeve të vazhdueshme për debutimin në Kupat e Evropës të Tiranës së volejbollit të meshkujve. Kampionët në fuqi të rrjetës kanë tashmë një vend dhe një datë se kur do të luajnë ndeshjen përballë gjigantëve izraelitë të Maccabi Tel Aviv.

Ndeshja e “Challenge Cup” është vendosur përfundimisht që do të luhet këtë të martë, më 7 nëntor, në fushë asnjanëse, në Strumicë të Maqedonisë së Veriut. Ky është vendimi që ka marrë Federata Evropiane e Volejbollit.

Në fakt skuadra e kualifikuar në turin tjetër duhej të ishte mësuar tashmë por shpallja e gjendjes së luftës në Izrael bëri të pamundur udhëtimin e bardhe bluve drejt Tel Avivit më 24 tetor. Gjendur përballë kësaj situate, klubi shqiptar propozoi përcaktimin e fituesit të turit nëpërmjet një ndeshjeje të vetme, asaj të kthimit në kryeqytet më 31 tetor sikundër kishte përcaktuar edhe shorti.

Por në mënyrë të çuditshme skuadra izraelite refuzoi të vinte në Tiranë me justifikimin se ndihej e rrezikuar prej sulmeve terroriste. Pretendimi i tyre gjeti mbështetje nga Federata Evropiane e Volejbollit pavarësisht pikëpyetjeve të shumta.

Gjithsesi pas akordit të munguar prej klubeve ndërhyri pikërisht CEV për të zgjidhur çështjen me propozimin për t’u zhvendosur në Qipro si vend asnjëanës megjithatë edhe ky propozim ra për shkak të mos marrjes përsipër të organizimit nga shteti qipriot.

E në përfundim do të jetë vendi fqinj i Maqedonisë së Veriut që do të pres duelin mes Tiranës dhe Maccabi Tel Aviv që do të përcaktojë kalimin në turin e dytë, atje ku presin elitarët gjermanë të Helios Giesen.

Sfida do të jetë e fortë për bardheblutë e Arben Sakos, megjithatë ekziston dhe një mundësi e triumfit në tavolinë duke parë vështirësitë që mund të hasin për të dalë jashtë territorit izraelit të nën kampionëve të Evropës, Maccabi Tel Aviv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos