Kualifikim historik në turin e dytë të Kupave të Evropës për ekipin e Tiranës në volejboll për meshkuj. Për shkak të luftës, skuadra izraelite e Maccabi Tel Aviv nuk mund të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, atje ku do të luhej ndeshja, për rrjedhojë kampionët bardheblu kalojnë në fazën tjetër atje ku do të përballen me gjermanët e Helios Giesen.
Pritja e gjatë për të mësuar fatin në Kupat e Evropës shpërblehet për Tiranën e volejbollit. Kampionët në fuqi të rrjetës shqiptare janë kualifikuar në turin e dytë të Challenge Cup, diçka që ndodh për herë të parë në histori për klubin bardheblu.
Nën kampionët e Evropës, Maccabi Tel Aviv janë tërhequr nga kompeticioni për shkak të situatës së luftës dhe pasigurisë për të udhëtuar, duke i dhuruar në këtë mënyrë biletën e kualifikimit Tiranës. Shorti përcaktoi fillimisht datat 24 dhe 31 tetor për duelet vajtje-ardhje, por shpërthimi i luftës i bëri të pamundur udhëtimet e skuadrave. Federata Evropiane e Volejbollit ndërhyri duke caktuar më pas Qipron si vend neutral për zhvillimin e takimin, por shteti qipriot nuk e mori përsipër një gjë të tillë për të shmangur konflikte të mundshme politike.
E si përfundim, Strumica e Maqedonisë së Veriut u vendos si vend pritës, më 7 nëntor, por rrjeta nuk do të ngrihet pasi ekipi izraelit ka njoftuar se nuk do të udhëtojë për arsye sigurie. Maccabi Tel Aviv, që janë dhe nënkampionët e Challenge Cup, i bashkohen skuadrave të tjera izraelite që për shkak të luftës janë detyruar të tërhiqen nga garat evropiane.
Kështu, Tiranës i buzëqesh fati, por jo dhe aq shorti i turit të dytë. Bardheblutë e trajnerit Arben Sakodo të ndeshen në turin e dytë me Helios Gisen, një prej skuadrave më të njohura të Bundesligës gjermane të volejbollit. Misioni do të jetë i vështirë, por jo i pamundur për kampionët e Tiranës që së fundi janë përforcuar në merkato me një algjerian dhe një volejbollist me origjinë nigeriane. (A2 Televizion)