Për vite me radhë, gjimnastika në Shqipëri dukej një sport i harruar, mbështetja minimale, investimi i pakët dhe mbi të gjitha kushtet që gjimnastët stërviten, bënë që çdo ditë e më shumë ata t’i largohen këtij sporti.
Megjithatë, ka nga ata të pasionuar që nuk e braktisin, përkundrazi punojnë fort çdo ditë për të ringritur gjimnastikën në vendin tonë.
Sporti i gjimnastikës mbetet një nga më të preferuarit nga fëmijët. Edhe pse në moshë të vogël, ato kërkojnë që ta ushtojnë gjimnastikën çdo ditë dhe pse jo të fitojnë medalje në eventet ndërkombëtare.
Xheni Kozi, është një nga vajzat që i ka qëndruar gjithmonë besnike sportit të gjimnastikës. Kampione absolute në Shqipëri, Kozi zgjodhi që këtë sport ta ndiqte dhe në të ardhmen nëse jo si një sportisti, si një trajnere që rrit brezin e ri me frymën e këtij sporti.
Stërvitja me orë të zgjatura dhe kushtet e vështira në të cilën ajo punonte bënë që Kozi çdo ditë e më shumë ta dashurohej pas këtij sporti. Dëmtimi ishte e vetmja gjë që e largoi Xhenin nga aktiviteti si sportiste.
Megjithatë, edhe atëherë nuk hoqi dorë pasi sot ajo është trajnere e fëmijëve gjimnastë, të cilët e shohin këtë sport edhe për të ardhmen. Këto vajza të vogla i kanë dhuruar Shqipërisë plot medalje në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht çdo gjëje, puna e palodhur, disiplina dhe serioziteti kanë bërë që këto vajza të mos heqin dorë nga pasioni i tyre më i madh. Ekuilibër, fleksiblitet dhe forcë, janë këto 3 cilësitë kryesore të një gjimnasti.
Ato ëndërrojnë që një ditë, të stërviten si sportiste profesioniste dhe pse jo të përfaqësojnë denjësisht flamurin shqiptar në garat më të rëndësishme ndërkombëtare. (A2 Televizion)