Më shumë se 4500 garues, janë regjistruar për të marrë pjesë në edicionin e 8-të të maratonës së Tiranës, aktivitet që do të zhvillohet të dielën e 20 tetorit.
Mbi 900 garues, janë të huaj, nga më shumë se 50 vende të botës. Maratona do të zhvillohet në 4 kategori të ndryshme: “Marathon e plotë prej 42 km, “Gjysmë Maraton me 21 kilometra, kategoria e tretë me 10 kilometra dhe kategoria “We Too'' që do të përshkojë 5 km, shkruan A2.
Rikthimi i Maratonës së Tiranës, ashtu siç është bërë traditë në çdo muaj tetor, ka bërë që Bashkia e kryeqytetit të publikojë edhe planin e masave për qarkullimin e automjeteve gjatë së shtunës dhe të dielës. Eventi do të përshkojë rrugët kryesore dhe vendet më piktoreske të Tiranës dhe do të shoqërohet me devijimin e qarkullimit të mjeteve, raporton A2.
Sipas planit të masave në bashkëpunim me Policinë e Shtetit disa prej rrugëve kryesore do të bllokohen. Maratona e Tiranës do të nisë në orën 09:00 e mëngjesit nga sheshi Nënë Tereza dhe do të zgjasë deri në orën 16:00 me finish në fundin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Ndalimi i qarkullimit të automjeteve do të bëhet deri në 11:00 nga sheshi "Nënë Tereza" deri në fundin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
NJOFTIMI I POLICISE:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit "Maratona e Tiranës 2024".
Më datën 20 Tetor 2024, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe mjeteve të Policisë së Shtetit, do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të tjera, në akset rrugore:
- sheshi "Nënë Tereza" duke vazhduar në të gjithë bulevardin "Deshmorët e Kombit", rruga "Gjergj Filipi", rruga "Papa Gjon Pali II", rruga "Ismail Qemali", bulevardi "Dëshmorët e Kombit", bulevardi "Bajram Curri", kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga "George W. Bush", rruga "Abdi Toptani", bulevardi "Zogu i Parë", Bulevardi i Ri, rruga "Ded Gjo Luli", Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, rruga "Myslym Shyri", bulevardi "Zhan D'Ark" nga kryqëzimi me urën e gjykatës deri te ura e Taiwanit, bulevardi "Bajram Curri" nga kryqëzimi me urën e gjykatës deri te ura e Taiwanit, rruga "Ibrahim Rugova" dhe rruga "Lek Dukagjini".
Në zbatim të planit të masave, nga Bashkia e Tiranës, në të gjithë perimetrin e garës është vendosur sinjalistikë e përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet (me oraret përkatëse të kufizimit), duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme rrugore.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për mbarëvajtjen e aktivitetit ndalohet:
- hyrja me automjete brenda perimetrit të garës;
- parkimi i automjeteve brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore të vendosur;
- lëvizja me biçikleta, monopatina, apo motomjete, gjatë zvillimit të garës, në rrugët brenda perimetrit. (A2 Televizion)