Pas shumë bisedimesh dhe një pune të gjatë, themelohet Federata Ballkanike e Peshëngritje ku president i saj u vendos Elez Gjozaj. Në kongres ishin të pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes ,Mohammed Jalood si dhe Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti.
Pas kongresit ata u pritën nga kryebashkiaku i Cërrikut Andis Salla ku panë nga afër dhe stërvitjen e ekipit të Shtërmenit.
"Më herët kam njohur sportistë të "Shtërmenit" dhe tani më vjen mirë që po i shoh nga afër, trajnerin e tyre dhe kushtet ku ata stërviten. Kur shihja titujt kampion të Shqipërisë kam menduar Tiranën, një qytet i madh nxjerr djem kampionë. Më vjen shumë mirë për paraqitjen dinjitoze dhe sukseset e Shqipërisë dhe ja ku jam tani në një fshat të vogël të Shqipërisë që ka emra të mëdhenj të sportit të peshëngritjes dhe kampionë europe e kampion bote. Briken Calja dhe Ertjan Kofsha jam i bindur se do fitojnë tituj të tjerë kampionë në garat ndërkombëtare. Ne do ta kemi në qendër të vëmendjes tonë Shqipërinë në të ardhmen”, tha Jalood, raporton A2.
“Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka nxjerrë kampionë të mëdhenj të kalibrit evropian e botëror. Ndoshta keni një formulë të veçante që një vend kaq i vogël nxjerr kaq kampione dhe se në të ardhmen pretendoni të keni edhe më shumë. Bravo, Shqipëri dhe komplimente edhe Shtërmenit të Cërrikut për sportistët që kanë bërë emër kudo me rezultatet e shkëlqyera”, shtoi Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti.
-"Jemi në pararojë dhe synojmë rezultate edhe më të mira" u shpreh Elez Gjozaj, President i FSHP dhe njëherësh President i Federatës Ballkanike të Peshëngritjes.
Edhe Leonard Toska, trajneri i ekipit të peshëngritjes "Shtërmeni" dhe i ekipit kombëtar e cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme vizitën në Cërrik dhe në Shtërmen të personaliteteve më të rëndësishëm të peshëngritjes botërore.
Shqipëria ka një traditë të gjatë dhe të suksesshme në sportin e peshëngritjes, me kampionë të njohur që kanë përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare. Krijimi i Federatës Ballkanike të Peshëngritjes në Shqipëri synon të forcojë rolin e Shqipërisë si një qendër e rëndësishme për zhvillimin e këtij sporti në Ballkan dhe më gjerë. (A2 Televizion)