Maratona e Tiranës, Luiza Gega e para, vendos rekord kombëtar

Nga A2 CNN
20 Tetor 2024, 14:45 | Sporte të tjera

Kryeqyteti u boshatis këtë të diel nga makinat dhe vëmendja ishte te Maratona e Tiranës në edicionin e tetë të saj.

Rreth 4500 sportistë nga 50 vende të ndryshme të botës zgjodhën që këtë fundjavë t’ja dedikonin sportit në aktivitetin që nisi nga ora 09:00 deri në orën 16:00.

Pjesëmarrësit garuan në 4 kategori: Në maratonën e plotë prej 42 km, gjysmëmaratonën 21 km, kategoria e tretë 10 km dhe kategoria “We Too” për personat me aftësi të veçanta që vrapuan në 5 km.

Në mesin e pjesëmarrësve në maratonën kryesore prej 42 km ishte dhe atletja Luiza Gega, e cila tregoi dhe një herë se në rang kombëtar mbetet e pamposhtur. Ajo vendosi sërish rekord kombëtare me kohën 2 orë 34 minuta e 7 sekonda.

Luiza Gega doli e para në kategorinë 42 km për femra ndërsa te meshkujt dominuan sportistët nga Kenia që në fund morën dhe çmimet përkatëse. Vendi i parë fitoi 5000 euro, vendi i dytë, 3000 euro dhe vendi i tretë 2000 euro.

Maratona është kthyer një traditë për kryeqytetin me sportistë profesionistë ose jo, të cilët zgjedhin të vrapojnë edhe  për të dhënë mesazhe të ndryshme.

 900 pjesëmarrës ishin të huaj në këtë edicion. Për disa prej tyre, kjo ishte hera e parë që vijnë në Tiranë, ndërsa tregojnë dhe emocionet e garës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos