Volejboll, vajzat e Partizanit nisin përgatitjet me objektiva maksimal

Nga Dea Kozma
14 Gusht 2025, 09:34 | Sporte të tjera

Partizani i volejbollit të vajzave ka nisur zyrtarisht stërvitjen për sezonin e ri. Të drejtuar nga trajneri Andi Lundra, skuadra e kuqe synon të nisë edicionin me objektiva të mëdha.

Nuk duan të bëjnë premtime, por kërkojnë që fjala e tyre të dëgjohet vetëm në parket, shkruan A2.

Shumë punë për një sezon me shumë pritshmëri. Vajzat e Partizanit po përgatiten për edicionin e ri në volejbollin shqiptar. Ndonëse rivaliteti në parket është shtuar vitet e fundit, kjo nuk e tremb aspak ekipin e kuq, përkundrazi e motivon për të dhënë maksimumin. 

Skuadra kryeqytetase deri më tani është e ndërtuar me volejbolliste shqiptare që, sipas trajnerit Lundra, premtojnë për një sezon spektakolar. 

Kapitenia e Partizanit, Joana Kushi tregoi se forma fizike e lojtareve është e mirë, ndërsa synimi i vetëm mbetet fitimi i titullit kampion.

Sezoni i ri në volejbollin shqiptar do të nisë në fillim të shtatorit, me Kupën e Federatës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos