
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot banesat e reja në Kavajë, për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti. 153 familje do të hyjnë në apartamentet e tyre të reja, falë Programit të Rindërtimit.
“Objektivi ynë është që brenda vitit 2022 të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur e kudo ku tërmeti hapi një plagë, të ketë një shtëpi të re, të ketë një familje të gëzuar, të ketë fëmijë, gjyshër e gjyshe që kujtimin e tërmetit e ruajnë si momentin e kthimit të një të keqeje në një mirësi të madhe”, tha Rama.
“Dy vjet pa shtëpi janë shumë për jetën e një familjeje, por unë besoj që 2 vjet për të rindërtuar shtëpitë e mijëra e mijëra familjeve, janë një kohë goxha e shpejtë, po të kemi parasysh se jo shumë larg, por matanë detit, në një vend që është fuqia e pestë ekonomike e botës, në Itali, dhe që ka pasur fatkeqësinë të goditet nga shumë tërmete, sot që flasim ka shumë familje që enden në kabina, në rulota, presin të kthehen në shtëpi pas tërmetit që i nxori jashtë 10, 12 dhe 15 vite më parë”, shtoi kryeministri.
Më tej, Rama theksoi se shtëpitë e reja ndodhen në një bllok banimi me standarde optimale: “Unë jam shumë i lumtur që shoh gjithë këta fëmijë e të moshuar, që pas një periudhe shumë të vështirë dhe mbi të gjitha pas asaj goditje të rëndë psikologjike të humbjes së shtëpisë, kthehen të buzëqeshur në shtëpi. Në shtëpi, që padiskutim, janë shumë më të mira, shumë më të forta dhe shumë më të bukura, por që mbi të gjitha, janë si këtu, në këtë rast, pjesë e një komuniteti, në një bllok banimi me standarde optimale, njësoj si të ishte një bllok banimi për ata që i kanë mundësitë të blejnë shtëpi të reja në Tiranë, një bllok banimi me hapësira për fëmijët dhe të moshuarit, me parking nëntokësor. Një bllok banimi me mundësinë që të gjithë të ndjehen pjesë e një komuniteti dhe mbi të gjitha, pronarë legjitimë, me një titull pronësie që trashëgohet brez pas brezi dhe që është falas”. (A2 Televizion)