Heqja e mandatit për “non gratat”, Celibashi: Duhet ndryshuar ligji

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 13:27 | Politikë
Heqja e mandatit për “non gratat”, Celibashi: Duhet ndryshuar

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon qartësim të ligjit të dekriminalizimit. Në një intervistë në A2 CNN, Ilirjan Celibashi shprehet se nisma duhet amenduar për të shmangur interpretimet kur bëhet fjalë për ndërprerjen e mandatit.

A përbën shpallja “non grata” shkak për të humbur mandatin e deputetit? Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është i mendimit se ligji për dekriminalizimin nuk e ka të specifikuar qartë këtë çështje. Ndaj dhe në intervistën për A2 CNN, ai sugjeron ndërhyrje ligjore që do të shmangnin interpretimet e debatet në zbatim.   

“Ndoshta disa përkufizime në lidhje me kushtet e ndalimit. Duhet të ketë qartësi më të madhe në kodin zgjedhor në mënyrë që të mos jenë pjesë e diskutimeve apo interpretimeve, sipas interesit politik apo interesave të tjera”, shprehet Celibashi.

Ligji i dekriminalizimit është cilësuar nga juristët si tepër i rëndë, por për drejtuesin e KQZ, efektet e tij kanë qenë pozitive.

“Në tërësi, ky ligj ka justifikuar qëllimin edhe pse secili prej nesh ka kriticizmin e vet se sa proporcional është ky ligj për të pasur institucione përfaqësuese të pastra në kuptim të përbërjes së tij”, shtoi Celibashi.

Debati për ndërprerjen e mandatit parlamentar të deputetëve të shpallur “non grata” nisi me rastin e Tom Doshit, kur PD i kërkoi zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve moskandidimin e tij në zgjedhjet e prillit të kaluar. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga anëtarja e PD-së në KQZ, Helga Vukaj, por debati u mbyll me dorëheqjen e vetë kreut të Partisë Socialdemokrate. 

E njëjta situatë tashmë është krijuar me Sali Berishën, por duket se pa një qartësim ligjor mbi këto raste, KQZ nuk ka ndërmend të ndërhyjë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos