
Shqipëria ka nisur të zbatojë disa nga zotimet e marra në Samitin e Klimës të zhvilluar në Gllasgou në fillim të këtij muaji.
Plani Kombëtar për Klimën, i hedhur tashmë për konsultim publik është edhe hapi i parë konkret. Në dokument synohet që emetimi i gazrave të dëmshëm në atmosferë të reduktohet duke arritur nivelet zero.
Po pse kanë marrë një vëmendje kaq të veçantë ndryshimet klimatike pikërisht tani?
“Klima, që nga viti 2000, u pa që po ndryshonte me shpejtësi të madhe dhe të gjitha komunitetet kërkimore dhe shkencore kanë kërkuar me zë të lartë një vëmendje të shtuar ndaj klimës”, shprehet Tanja Porja, meteorologe e A2 CNN.
Ndonëse në nivele jo alarmente, disa sektorë kontribuojnë për keq në çlirimin e lëndëve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve dhe jo vetëm.
Në dokumentin për klimën, hartuar si një bashkëpunim ndërinstitucional mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit, fokus i veçantë i jepet ruajtjes së hapësirave pyjore. (A2 Televizion)