
“366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” është vepra më e re që prezanton Besnik Mustafaj. Nuk ishte ky i radhës që kishte planifikuar, por izolimi, pandemia, shtetrrethimi e bëri ta shkruajë atë.
“Nuk flitej për pandemi, flitej për shtetrrethim, kur shihej në rrugët e Tiranës ushtri dhe blinda për të detyruar publikun të mbajnë maskat, dhe ky disproporcion krijonte një perceptim për ringjalljen e frikrave të vjetra, por më shërbeu edhe si frymëzim për të shkruar këtë libër”, deklaroi Mustafaj.
“Me elementë të fantazisë, por ndërthurur edhe me personazhe realë, Mustafa sjell historinë e një shkrimtari që nis të shkruajë për izolimin, po e gjen veten të izoluar edhe prej ideologjive politike.
Këto rrëfenja për të ndjellë gjumin që ndërthurin izolimin me politikën, në vijë të dytë na rikthejnë edhe te izolimi që shqiptarët patën gjatë komunizmit.
Por, edhe romani i katërt i Namik Dokles, na rikthen te e djeshmja. Në kërkim të eshtrave, në kërkim të të vërtetave që gjenden pas pushkatimeve në Shqipërinë Komuniste, Namik Dokle sjell historinë e pagëzuar “Kolerë në kohë të dashurisë”.
“Kemi një roman të madh të letërsisë botërore, që është “Dashuri në kohë të kolerës”, ku flitet për kolerën, por edhe për një anije ku nuk ka rënë kolera dhe triumfon dashuria. Krejt e kundërta këtu, ku jam përkushtuar të gjithë vuajtjeve dhe mundimeve të atyre që janë goditur gjatë regjimit, deklaroi Dokle.
Të dyja veprat, madje edhe shkrimtarët do t’i gjeni në stendën e botimeve Toena. (A2 Televizion)