
Brezat e rinj dhe historia, duket se janë në një marrëdhënie gjithmonë më konfuze, pavarësisht instrumenteve më të shumta që mund të kenë në dispozicion.
Për historianen Nevila Nika, “lënda e historisë nuk është temë me zgjedhje, nuk preferohet, të rinjtë nuk e mësojnë. Kritikohen mësuesit e historisë, por në qoftë se ato dalin të paditur nga universitetet, nuk kanë si ta mësojnë. Edhe tekstet e historisë duhen të jenë më të larmishëm. Firmëtarët e pavarësisë mësohen si vjershë, mësohen datat dhe emrat”.
Sipas saj, “gjatë komunizmit, historia nuk u rrëfye më, as ajo e fisit, as e trevës, nuk tregoheshin lidhjet familjare që kanë ndodhur, dhe që kanë shumë rëndësi. U mësuan 5 emra, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina. Vetëm këto emra, diçka shumë e vakët. Ndërkohë, sa pak personazhe femërore përmenden!”.
Ndërkohë, historiani Marenglen Kasmi flet për një problem sistemi. “E shoh problemin si prind dhe pedagog. Si mund t’i shpjegosh nxënësit të klasës së 12-të, që nuk është më një fëmijë, në dy faqe të formatit A4 të gjithë Luftën e Dytë botërore në Shqipëri? Pastaj, flasim për mësuesit, por në Mësuesi shkojnë ata që zakonisht ngelin, dhe kthehet në mbledhës të studentëve që shkojnë aty pa dëshirë. Në këto 30 vite nuk është bërë asgjë, dhe është në përkeqësim, sepse po nuk u përkujdese për sistemin, ai të jep të dhëna sa më shumë të këqija. (A2 Televizion)