“Qyteti” unik ku e gjithë jeta zhvillohet nën një çati

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 14:07 | Lifestyle

“Qyteti” unik ku e gjithë jeta zhvillohet nën një

Në jug të Alaskës, i fshehur mes maleve të mbuluara nga mjegulla, ndodhet Whittier, një qytet i vogël me vetëm 263 banorë, por me një veçori që e bën unik në botë: të gjithë jetojnë, punojnë dhe socializohen në një ndërtesë të vetme.

Kjo ndërtesë quhet Begich Towers, një strukturë 14-katëshe e ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë për ushtrinë amerikane, që sot është zemra e komunitetit. Brenda saj ndodhen apartamente, postë, dyqan ushqimor, klinikë shëndetësore, kishë, shkollë dhe madje edhe stacioni i policisë. Kjo organizim unik u lejon banorëve të përballojnë klimën e ashpër subarktike, ku stuhitë e borës dhe erërat e forta mund t’i izolojnë për javë të tëra, shkruan A2 CNN.

Jetesa në këtë “qytet nën një çati” përshkruhet si praktikë dhe e lidhur ngushtë me komunitetin. Banorët ndajnë hapësira të përbashkëta dhe organizojnë shpesh aktivitete sociale, duke krijuar një ndjenjë familjare që i bashkon të gjithë.

Whittier, që fillimisht u zhvillua si bazë ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, është sot një port strategjik për turizmin dhe tregtinë në Prince William Sound. Përmes tunelit Anton Anderson, më të gjatit në Amerikën e Veriut, qyteti lidhet me pjesën tjetër të Alaskës. Çdo verë, mbi 700 mijë turistë vizitojnë këtë “qytet nën një çati”, i cili përfaqëson një shembull të rrallë të bashkëjetesës dhe qëndrueshmërisë njerëzore në kushtet ekstreme të veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos