Suarez drejt Juves nëpërmjet bankave të shkollës, duhet të japë provim për gjuhën italiane

Nga A2 CNN
7 Shtator 2020, 17:12 | Futboll
Suarez drejt Juves nëpërmjet bankave të shkollës, duhet

Luis Suarez do të duhet të kalojë edhe njëherë nga bankat e shkollës përpara se të nisë aventurën e re te Juventusi. Sulmuesi i Barcelonës e ka të pashmangshëm testimin për gjuhën italiane në mënyrë që të arrijë të sigurojë pasaportën italiane.

Mes kushteve për të marrë dokumentin, pa të cilin nuk mund të jetë pjesë e bardhezinjve, uruguajani duhet vërtetojë njohuritë e tij për gjuhën italiane të paktën në nivelin B1, me provimin që konsiston në katër faza: dëgjim, kuptim, shkrim dhe të folur.

Ky është shqetësimi i fundit i Luis Suarez për transferimin e tij te Juventus, duke qenë se procedurat për pasaportizimin e tij po i përshpejton vetë klubi italian. Ngërçi në finalizimin e këtij operacioni qëndron tek dëmshpërblimi që futbollisti kërkon nga Barcelona për shkëputjen e marrëdhënieve. 33-vjeçari ka ende edhe një vit në kontratën me katalanasit dhe për këtë kërkon trajtimin financiar që i përket, por kriza që ka përfshirë klubin, sidomos pas çështjes me Leo Messin, ka prekur edhe futbollistin uruguajan.

Sa i përket bisedimeve me Juventus, palët kanë akord të plotë dhe Suarez do të përfitojë 10 milionë euro në sezon nëse do të arrijë të vishet bardhezi për dy vitet e ardhshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos