
Suedia fillon të bëhet e paduruar me NATO-n. U desh një debat i thellë i brendshëm për ta bërë një pjesë të mirë të popullsisë të pranonte braktisjen e neutralitetit tradicional nordik. Por, pasi u njehsuan qëndrimet e brendshme dhe u dërgua kërkesa për anëtarësim në aleancën perëndimore, ajo u prit me një veto nga Turqia.
Ekzekutivi turk ende nuk e ka falur shtetin skandinav për shfaqjet e tij tradicionale të simpatisë ndaj lëvizjes kurde. Megjithatë, fuqitë e mëdha në organizatë po bëjnë çmos që të përfshijnë Suedinë, jo vetëm për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik, një hap larg Rusisë, por edhe për shkak të zhvillimit të saj të jashtëzakonshëm ekonomik dhe institucioneve të saj solide demokratike. Megjithatë, asgjë nuk duket e mjaftueshme për ta bërë Erdoganin dhe ndjekësit e tij të ndryshojnë mendje.
Në fakt, plani fillestar ishte që të përshpejtoheshin sa më shumë procedurat e pranimit për Finlandën dhe Suedinë, në mënyrë që të dyja vendet të mund të hynin në të njëjtën kohë. Diçka që nuk ka mundur të materializohet, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve të gjata mes Stokholmit dhe Ankarasë.
Por, sa më shumë që kalon koha dhe sa më i palëvizshëm duket qëndrimi turk, aq më shumë lutjet suedeze fillojnë të ngjajnë me thirrje për ndihmë. Megjithëse, nuk pritet të jetë diçka që do të ndodhë në të ardhmen e afërt, ekziston një frikë e përgjithshme në vend nga një pushtim rus.
Ministria e Mbrojtjes e Suedisë po shtyn për të arritur integrimin në NATO. Duke ditur se janë të pambrojtur përballë një vale eventuale ekspansioniste nga Kremlini në perëndim, ministri ka përgatitur një raport të detajuar në të cilin mbrohet me forcë kauza e bashkimit ushtarak me fuqitë perëndimore. Sipas dokumentit, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s do të ndihmonte në stabilizimin jo vetëm të rajonit të Evropës Veriore, por të gjithë kontinentit duke frenuar ambiciet e qeverisë ruse.
Topi, megjithatë, është ende në fushën e Reccep Tayyip Erdogan. (A2 Televizion)