
Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin “të marrë masa” kundër grupeve që kryejnë krime kibernetike nga Rusia.
Shtëpia e Bardhë njofton se Biden i ka thënë të premten Putinit se SHBA-ja do të marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur amerikanët dhe infrastrukturën e kërcënuar nga sulmet kibernetike.
Telefonata mes dy homologëve zgjati rreth një orë dhe ka ardhur disa ditë pasi Kaseya, një kompani teknologjike me bazë në Florida, ra viktimë e një sulmi kibernetik që ndikoi në punën e qindra bizneseve amerikane dhe mbi 1,500 bizneseve të tjera në nivel global.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, deklaroi se nuk ka “informacione se qeveria ruse ka dhënë urdhër për sulme të tilla”, mirëpo Kremlini ka “përgjegjësi për të marrë masa”. (A2 Televizion)