Sulmet ndaj KFOR-it të papranueshme, ndërkombëtarët dënojnë dhunën: Zbusni menjëherë tensionet

Nga A2 CNN
30 Maj 2023, 10:44 | Kosova
Sulmet ndaj KFOR-it të papranueshme, ndërkombëtarët

Sulmet e protestuesve serbë ndaj trupave të KFOR-it, janë totalisht të papranueshme. Ishte ky reagimi i NATO-s lidhur me dhunën që përfshiu të hënën komunën e Zvecanit në veriun e Kosovës, ku protestat kundër kryetarëve të rinj përshkallëzuan në skena që alarmuan komunitetin ndërkombëtar.

Të paktën 25 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur, 11 prej të cilëve italianë, përfshirë 3 në gjendje më të rëndë. Sipas Ministrisë hungareze të Mbrojtjes, 20 të tjerë ishin hungarezë, 7 prej të cilëve thuhet të jenë plagosur në gjendje më serioze. I ashpër ishte dhe reagimi i kryeministres italiane, Georgia Meloni.

“Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Nuk do të tolerojmë sulme të tjera kundrejt KFOR-it. Është thelbësore të shmangen veprime të njëanshme nga ana e autoriteteve kosovare, dhe që të gjitha palët të bëjnë menjëherë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve”, tha Meloni.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”. Ristuccia po ashtu kërkoi nga palët që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë”.

“Ata pësuan lëndime të shumta, përfshirë thyerje dhe djegie nga pajisjet e improvizuara shpërthyese dhe mjetet ndezëse”.

Bashkimi Europian dënoi dhunën me termat më të fuqishëm të mundshëm. “Aktet e dhunshme, të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Përmes një postimi në Twitter, ai deklaroi se BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që “menjëherë dhe pa kushte” ta shtensionojnë situatën. “Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, tha Borrell. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos