Plagosja e ushtarëve në Zveçan, Kasapi: Komandanti i KFOR-it nuk pranoi heqjen e simboleve të Kosovës

Nga A2 CNN
30 Maj 2023, 09:03 | Kosova
Plagosja e ushtarëve në Zveçan, Kasapi: Komandanti i KFOR-it

Nga Ura e Ibrit, gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi bëri një rezyme të asaj që ndodhi, ditën e hënë, në veri të Kosovës, ku nga përplasjet e dhunshme mes protestuesve serbë dhe trupave të KFOR, u plagosën me mjete të forta dhe sende piroteknike të paktën 25 ushtarë italianë dhe hungarezë.

I ndodhur pranë godinës së komunës së Zveçanit në momentin e përplasjes, gazetari Kasapi tregon se gjatë së hënës pati bisedime të shumta mes kreut të Listës Serbe dhe komandatin të KFOR për uljen e tensioneve.

Nga sa mësohet, komandanti i KFOR nuk ka pranuar kërkesën e serbëve për heqjen e simboleve të Kosovës nga godina e komunës, si dhe largimin e trupave speciale.

Ishte pikërisht ky moment ku ka nisur dhe dhuna dhe ku elemente kriminale serbe të maskuara dhe armatosura me mjete të forta kanë dhunuar kordonin e efektivëve të KFOR-it.

Mes të tjerash, gazetari Kasapi tregon dhe momentin e vështirë që përjetoi një grup gazetarësh vendas dhe nga Shqipëria të cilët mbetën të bllokuar në një lokal për orë të tëra, pasi situata ishte tepër e vështirë.

Ai shprehet se u desh ndërhyrja e pronarit të lokalit dhe komunikimi i tij me protestuesit që mundësoi largimin e gazetarëve pa pasoja.

“Pas më shumë se 9 orësh bisedime me majorin amerikan, nuk u arrit një zgjidhje që të largohen. Kreu i Listës Serbe pati bisedime me KFOR-in dhe protestuesit. Komandanti i KFOR-it nuk pranoi largimin e trupave dhe heqjen e flamurit të Kosovës. Kaq mjaftoi dhe protestuesit u ulën në shesh dhe disa minuta më vonë u përplasën me kordonin e trupave speciale. 25 ushtarakë mbetën të plagosur. Ishte një situatë e rrezikshme. U hodhën bomba molotov. Më shumë se 30 reporterë u bllokuan në një lokal. Ishte shumë e vështirë për të dalë nga Zveçani. Ishte pronari i lokalit ai që ndihmoi për evakuimin e qytetarëve”, tha mes të tjerash Kasapi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos