
Karikoni gjithçka deri në orën 7 të mëngjesit, pasi do të ketë ndërprerje të energjisë për shkak të sulmeve raketore të Rusisë. Ishte kjo thirrje që kompania energjetike kombëtare u bëri qytetarëve ukrainas në orët e para të së enjtes, teksa Rusia po e përqendron fushatën e agresionit, te sulmet ndaj infrastrukturës kritike.
Stacione elektrike u vunë sërish në shënjestër të raketave të Moskës, ditën e mërkurë, me presidentin Zelenski që tha se po përgatiteshin për të gjitha skenarët e mundshëm këtë dimër.
“Fatkeqësisht pati sërish sulme kundër infrastrukturës kritike. Sot, tri centrale energjetike u shkatërruan nga armiku. Sigurisht do të bëjmë gjithçka të mundur për të rikthyer kapacitetin e plotë energjetik të vendit, por do të kërkojë kohë”, deklaroi presidenti.
Dëme serioze u raportuan në strukturat energjetike në Krivi Rig në Ukrainën qendrore dhe Burshtin në perëndim. Operatori i rrjetit elektrik, Ukrenergo tha se më shumë sulme kishte pasur gjatë 10 ditëve të fundit se gjatë gjithë periudhës 8-mujore të luftës.
Kompania njoftoi se mund të ketë ndërpreje të energjisë nga ora 07:00 deri në 22:00 në të gjithë vendin, ndërsa u kërkoi qytetarëve të grumbullonin rezerva uji, të përdornin çorape të ngrohta, batanije dhe përqafime për t’u ngrohur.
Rreth 40 për qind e infrastrukturës energjetike është dëmtuar seriozisht sipas autoriteteve në Kiev. Liderët perëndimorë kanë dënuar ashpër sulmet në infrastrukturë, me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen që foli për krim lufte.
Të mërkurën, Rusia shpalli ligjin e luftës në rajonet e aneksuara të Ukrainës. Masa të shtuara të sigurisë kanë hyrë në fuqi edhe në Rusi, veçanërisht në zonat përgjatë kufirit ukrainas. Me pretendimin e një ofensive të ashpër nga forcat e Kievit, Moska ka nisur të evakuojë mijëra civilë nga qyteti i pushtuar i Kherson. Autoritetet në Kiev iu bëjnë thirrje qytetarëve të mos largohen. (A2 Televizion)