
Autoritetet ruse njoftuan se kanë arrestuar një kolonel të policisë në rajonin jugor të Daghestanit, i cili tashmë është vënë nën akuzë dhe për terrorizëm pasi dyshohet se ka ndihmuar një nga kamikazët e sulmeve me bomba në metronë e Moskës, në vitin 2010.
Komiteti i Hetimeve, i cili merret me krimet e rënda në vend, informon se i arrestuar për një nga ngjarjet më tragjike ku u vranë 39 persona dhe u plagosën 100 të tjerë është Gazi Isayev, i cili ka qenë dhe funksionar i lartë në rajonin e Daghestanit.
Mësohet se Isayev e ka shoqëruar një nga kamikazet me makinën e tij deri në stacionin e autobusit në Kizlyar, për nga ku ajo udhëtoi 1470 km për të realizuar sulmin.
Komiteti, gjithashtu, bën me dije se Isayev ka qenë pjesë e grupit terrorist Imarat Kavkaz dhe dyshohet se për një kohë të gjatë iu ka dhënë atyre informacione mbi operacionet e policisë. (A2 Televizion)