
Parisi do të mbetet një festë. Me këto fjalë, kryebashkiakja Anne Hidalgo ndezi dritat festive në bulevardin më të famshëm të Parisit, Champs Elize. Ndërkohë, vendi vijon të jetë në izolim për shkak të koronavirusit. Ceremonia u zhvillua në tarracën e një objekti pranë “Harkut të Triumfit”, në prani të pak personave.
“Është një moment disi i trishtë pasi do të dëshironim ta shihnim bulevardin të gjallonte nga jeta, por sot dua të mendoj për të ardhmen, për ditët që do të vijnë dhe këto drita të bukura janë sinjali. Parisi do të mbetet një festë”, u shpreh Anne Hidalgo.
Bulevardi, që parisianët e konsiderojnë si më të bukurin në botë, vitet e fundit është bërë arenë e protestave shpesh të dhunshme. Me izolimin e dytë mbarëkombëtar këtë vit, rruga zakonisht e mbushur me njerëz para sezonit festiv, është thuajse e shkretë.
Numri i rasteve të reja me koronavirus në Francë u rrit me mbi 13 mijë të dielën, ndërsa viktimat e reja ishin 215. Prej disa javësh, shifrat ditore kanë shënuar trend rënës, e autoritetet po mendojnë të zbusin kufizimet për festa. “Black Friday”, siç njihet dita e uljeve të mëdha një ditë para festës së falënderimeve, do të shtyhet me një javë për të mundësuar pjesëmarrjen e dyqaneve aktualisht të mbyllura për shkak të izolimit. (A2 Televizion)