
Të mërkurën në Francë ka nisur procesi gjyqësor ndaj 20 personave të arrestuar për sulmet terroriste në Paris që lanë pas 130 persona viktima dhe dhjetëra të plagosur.
9 persona të armatosur dhe kamikazë, të lidhur me grupin islamik ISIS sulmuan në një operacion të koordinuar stadiumin e kryeqytetit, teatrin Bataclan dhe lokalet, më 13 nëntor të vitit 2015.
Procesi gjyqësor do të zhvillohet në një ndërtesë të shekullit të 13-të dhe të pranishëm pritet të jenë qindra familjarë të viktimave dhe mbi 350 juristë. Autoritetet kanë marrë masa shumë të forta sigurie për të shmangur çdo incident të mundshëm.
I mbijetuari i vetëm i celulës, Salah Abdeslam, është i akuzuari kryesor midis atyre që do të gjykohen për sulmin më vdekjeprurës në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Procesi pritet të zgjasë nëntë muaj. (A2 Televizion)