
Përballja me gjykatën në seancën e caktimit të masës së sigurisë do të qartësojë situatën e gjendjes mendore të 31-vjeçarit që sulmoi fizikisht kreun e opozitës, por edhe përgjegjësinë e tij për veprimin e kryer.
Kjo për shkak se vërtetimi mjekësor i shpërndarë nga familjarët, që flet për çrregullime psikotike të Gert Shehu, nuk ka vlerën enjë akt-ekspertimi të një grupi ekspertësh dhe nuk konsiderohet nga juristët një provë e marrë sipas ligjit. Diferencën do ta bënte disponimi i një kartele mjekësore.
“Raporti duhet të jetë specifikuar nga mbrojta e këtij personi, që do të paraqitet në gjykatë. Organii akuzës bën specifikimet e vetë. Bën hetimet paraprake”, shprehet avokati, Enea Cenko.
Por nga ana tjetër, legjislacioni shqiptar përjashton nga përgjegjësia penale personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë vuajtur nga një turbullim psikik ose neuropsikik, që ju ka prishur tërësisht ekuilibrin e tyre mendor, dhe, për pasojë, nuk kanë qenë në gjendje të kontrollojnë veprimet apo mosveprimet e tyre dhe as të kuptojnë se kryen një vepër penale. Në këtë mënyrë, nëse pas momentit që një person është vënë nën akuzë për kryerjen e një krimi dhe rezulton e provuar shkencërisht papërgjegjshmëria e tij mendore, Prokuroria vendos pushimin e procedimit penal dhe i kërkon gjykatës caktimin e një mase mjekësore.
“Mendoj se prokuroria do të bëjë një kërkesë për një riekspertim mendor. Nëse dalim në përfundimin edhe nga konkluzioni i akt-ekspertimit, atëherë do të kemi një pushim për këta persona, për arsye se nuk janë të përgjegjshëm për tu bërë pjesë e vendimeve penale. Pas këtij raporti do të jetë gjykata që do të vendosë nëse ky person do të akomodohet në një spital psikiatrik, apo do të ketë një mjekim ambulator”, thotë Cenko.
Të kontaktuar nga A2 CNN, asnjë prej mjekeve te familjes apo mjekëve psikiatër nuk kanë pranuar të shpjegojnë nëse përmbajtja e vërtetimit që ka qarkulluar në media është i mjaftueshëm për të konfirmuar gjendjen e shëndetit mendor te 31-vjeçarit Shehu, nisur nga përshkrimi i rasteve dhe medikamentet e rekomanduara për te. Organet e drejtësisë do të mund të mësojnë përmbajtjen e kartelës shëndetësore të 31-vjecarit, nëse personi në fjalë rezulton me sëmundje të shëndetit mendor apo nëse ka referime për vizitë tek psikiatri. (A2 Televizion)