
Asnjë gram tolerancë nga qeveria për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti dënoi me tone të forta sulmin ndaj pjesëtarëve të policisë në veri të vendit, më 15 prill, duke e cilësuar si një akt terrorist.
Duke folur me gazetarët pas homazheve pranë bustit të Zahir Pajazitit, Kurti tha se sulmi kishte qëllim të vriste efektivët e Kosovës dhe se u takon organeve të rendit që të hetojnë dhe të vlerësojnë situatën e sigurisë: “Është Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, ato që i bëjnë analizat, studimet edhe të shkaqeve dhe të rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë. Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”.
Më 15 prill, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ishte përballur me një sërë sulmesh në veri, që, sipas tij, kishin për qëllim destabilizimin e vendit. Raportime për sulme me mjete shpërthyese pati edhe një ditë më vonë, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, që lidh Kosovën dhe Serbinë.
Në fjalën e tij, pas homazheve në Prishtinë, kryeministri foli edhe për çështjen e targave, duke thënë se parimi i reciprocitetit është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm: “Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik i cili merr pjesë atje si dhe kryenegociatorin, i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”.
Grupet e punës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për targat para 21 prillit, kur skadon ujdia e përkohshme, që kërkon mbulimin me letërngjitëse të simboleve shtetërore. (A2 Televizion)