Sulmi ndaj qendrës tregtare, Zelensky: Akt i rëndë terrorist, liderët botërorë flasin për krim lufte

Nga A2 CNN
28 Qershor 2022, 12:13 | Bota
Sulmi ndaj qendrës tregtare, Zelensky: Akt i rëndë terrorist,

Një prej akteve më të rënda terroriste në historinë e Evropës. Presidenti Volodimir Zelenski denoncon me këto fjalë sulmin me rakete ndaj një qendre tregtare në qytetin e Kremenchuk në Ukrainën qëndrore dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalë terrorin rus.

Rreth 1 mijë persona gjendeshin në godinë në momentin kur ajo u bë shënjestër e zjarrit rus. 18 qytetarë janë konfirmuar të vdekur e mbi 59 të tjerë raportohen si të plagosur, por autoritetet druhen se bilanci do të rritet.

“Sulmi me raketa ndaj qendrës tregtare në Kremençuk është një prej akteve më të rënda terroriste në historinë e Evropës. Një qytet paqësor, një qendër e zakonshme tregtare me gra e fëmijë brenda. Vetëm terroristë psikopatë, të cilët nuk duhet të kenë vend në këtë botë, mund te sulmojnë një objekt të tillë. Nuk ishte sulm aksidental, por i llogaritur”, tha Zelenski.

Të mbijetuar të sulmit të frikshëm, të cilët kanë mbushur pavijonin e terapisë intensive në një spital të Ukrainës Qendrore, rrëfejnë momentet e tmerrit. 

Sulmi ka nxitur zemërim rreth botës. Liderët e vendeve të G7-s të mbledhur në Gjermani dënuan me terma të ashpër atë që e cilësuan një krim lufte.

“Presidenti Putin dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Presidenti amerikan Joe Biden e cilësoi sulmin si mizor, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB mblidhet të martën për të diskutuar mbi bombardimet e fundit të Rusisë në Ukrainë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos