Super Liga, UEFA bën paqe me 9 klubet e penduar dhe kërcënon Realin, Barçën dhe Juven

Nga A2 CNN
7 Maj 2021, 20:12 | Futboll
Super Liga, UEFA bën paqe me 9 klubet e penduar dhe kërcënon

UEFA publikoi një komunikatë zyrtare ku njoftoi një paketë “masash riintegrimi” për 9 klubet bashkëthemeluese të Super Ligës, duke përjashtuar nga kjo paketë Realin e Madridit, Barcelonën dhe Juventusin.

Bëhet fjalë për 9 ekipet që u tërhoqën nga projekti për të krijuar një kompeticion të ri: Arsenal, Milan, Chelsea, Atletico Madrid, Inter, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.

Në komunikatë lexohet se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi të merrte disa masa dhe të merrte disa garanci nga 9 klubet, “të cilat pranuan se projekti i Super Ligës ishte gabim dhe i kanë kërkuar falje fansave, federatave respektive, klubeve të tjera evropiane dhe UEFA-s”.

Përveç kërkesës për falje, 9 klubet kanë dhënë garanci se do të marrin pjesë gjithmonë në kompeticionet e organizuara nga UEFA, do të dhurojnë 15 milionë euro për futbollin e moshave dhe do t’u mbahet 5% e fitimeve nga pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s. Gjithashtu, kanë rënë dakord që të pranojnë një gjobë prej 100 milionë eurosh nëse do të marrin pjesë në të ardhmen në kompeticione të paautorizuara nga UEFA.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Realin, Barçën dhe Juven, të cilët nuk kanë hequr dorë zyrtarisht nga Super Liga. Në komunikatën e UEFA-s, në lidhje me këto 3 klube, lexohet: “UEFA rezervon të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim që e konsideron të përshtatshëm kundër atyre klubeve që deri tani kanë refuzuar të tërhiqen nga e ashtuquajtura Super Ligë. Çështja do t’i kalojë organeve disiplinore të UEFA-s”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos