
Jorida Tabaku, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se qeveria duhet të nisë nga sot implementimin e planit me 5 pika që prezantoi ditën e djeshme PD-ja.
“Situata ekonomike është dramatike, sidomos kur shikon rënien e konsumit dhe të ardhurave. Dje prezantuam një plan me 5 hapa për rimëkëmbjen për të dalë nga kriza dhe nga amullia që ka kapur qeverinë dhe që është reflektuar në politikat fiskale. Plani duhet të nisë nga sot sepse nëse nuk nis nga sot, situata ekonomike do të përkeqësohet. Qeveria refuzoi të dëgjonte propozimet e PD-së për të siguruar një paketë të plotë dhe FMN tani thotë që rënia ekonomike do të jetë 7,5%, tha Tabaku.
Tabaku analizoi në detaje planin prej 312 milionë euro, se si shpërndahet për mjekësinë që, sipas saj, duhet të rrisë testimet në 2500 të tilla, tek arsimi që sot nuk ka asnjë masë parandaluese dhe ekonomia. Tabaku u shpreh se programi prezantuar nga Lulzim Basha ka një fond 160 milionë euro për shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla me një shpërndarje të qartë për të gjithë.
Sipas saj, “problemi kryesor i ekonomisë është konsumi dhe likuiditeti”.
“Plani duhet të nisë sot, pa asnjë kompleks. Qeveria ka folur gjatë kësaj jave për masat e reja dhe planet e punësimit, por asnjë shifër nuk kanë dhënë. Duket sikur janë në opozitë, kanë hequr dorë nga qeverisja që tani”, theksoi Tabaku.
“Dështimi me ekonominë ka qenë më i madhi i kësaj qeverie, që ka çuar në largimin e shqiptarëve, në borxhin më të lartë në rajon dhe në taksat më të larta në rajon. Këto janë rezultatet e punës së qeverisë. Me ndryshimin e qeverisjes dhe me një plan serioz e konkret, ekonomia do të rivihet në punë që nga viti i ardhshëm”, shtoi Jorida Tabaku.
Kur u pyet në lidhje me akuzën e kryeministrit Rama ndaj Bashës, duke e cilësuar si “shalqi me provë”, Tabaku u pergjigj se nuk dëshiron të angazhohet në replika me një kryeministër që edhe në ikje nuk e ka kuptuar shtetin dhe qeverisjen: “Rama ka 20 vite në politikë dhe 8 vjet kryeministër dhe ende nuk e ka kuptuar si funksionon qeverisja. Shihni arritjet e tij, ekonomia në zgrip. E kotë të komentoj se është i pabesueshëm”. (A2 Televizion)