Tabaku: Integrimi, i vetmi proces që ndalon emigracionin

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2022, 21:43 | Politikë
Tabaku: Integrimi, i vetmi proces që ndalon emigracionin

Procesi i integrimit në një kohë kur shpopullimi nga të rinjtë është kthyer në një fenomen shqetësues për vendin, është i vetmi proces që do të ndalojë shkallën e lartë të emigracionit. Në Intervistën me Merita Hakjan në A2 CNN, Tabaku tha se të rinjtë duhet të kuptojnë që Europa po ndërtohet këtu, por kjo sipas saj vjen duke ndryshuar sistemin.

“E kam konsideruar si të vetmin proces transformues dhe të ndalojë këtë normën e lartë të emigracionit që po përjetojmë, është dëshpëruese të rinjtë duhet ta kuptojnë që Evropa po ndërtohet këtu. Është kaq e vështirë kur flet me njerëzit se thonë; korrupsioni vjedhja. Kam kërkuar që ky të bëhet proces kombëtar që do ketë përfitime dhe do të ketë kosto. Kam kërkuar që ta bëjmë procesin e integrimit “brain gain”.  Të rinjtë që nuk shohin shpresë t’i përfshijmë në ekipet negociatore dhe të zgjerojmë administratën dhe të lëvizin nga kjo militantët që janë bërë pengesë në integrimin. Të rrisim kapacitet e pushtetit vendor. Diskutim të hapur me bizneset, fermerët për fondet e BE, konkurrimi në tregjet BE, janë çështje të debatit që duhet të bëjë qeveria, transparencën e këtij procesi. Të rinjtë largohen nga mungesa e shpresës, mungesa  e meritokracisë dhe me sistemin që ka ngritur kjo qeveri ka diçka që nuk shkon që shifrat janë si në luftë kur nuk jemi në luftë. Kjo nuk zgjidhet duke vendosur tela me gjemba. Qeveria e ka ngritur korrupsionin në sistem. Pa ndryshuar sistemi është e kotë që të rrinë këtu. Duhet të marrim masa të ndryshojmë sistemin. Po largohen nga mungesa e mundësive”.

E pyetur në lidhje me stigmatizimin e emigrantëve shqiptarë në Britani, Tabaku sugjeroi promovimin dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve të ndershëm që kanë krijuar modeleve suksesi.

Tabaku bëri të ditur se në nëntor të vitit të ardhshëm do të fillojë edhe negocimi i çdo kapitulli të integrimit.

“Kosto më e madhe politike e kësaj qeverie është shtyrja e procesit të integrimit. Ka pasur mungesë interesi për të raportuar për çështjen. Është hera e parë që një përfaqësues i fushës vjen dhe raporton. Qeveria ka pasur demotivim. A dëgjon të flasin për zgjerimin? A ke dëgjuar ndonjë diskutim përmbajtësor se çfarë po ndodh dhe nuk është gati akoma qeveria shqiptare për negociatat. Si pjesë e punës së saj unë jam përpjekur të kem qasje pozitive, shtytëse. Zonja Dhuka është kryenegociatore dhe ka negociatorë për çdo kapitull. Ne kishim propozuar një strukturë tjetër me grupet e interesit që do ta zbatojnë. Tani po ndodh procesi screening. Në nëntor të vitit të ardhshëm përfundon screening dhe fillon negocimi i çdo kapitulli. Puna e vërtetë është ajo. Duhet të punojmë pavarësisht një date dhe po bëjmë një punë që duhet të ishte kryer”.

Ndërsa për 3 marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e Berlinit, Tabaku tha se ishin përgjigjja më e mirë ndaj Ballkanit të Hapur.

“Procesi i Berlinit është një rrugë e ndërmjetme drejt integrimit, heq çdo artificë për Ballkanin e hapur. Dje u tregua se janë ato që i duhen Ballkanit të Hapur. Nuk ka Ballkan të hapur me 3 vende nuk ka ndarje, aneksime e protagonizëm. Tregu i përbashkët rajonal është përgjigjja që ju dha dje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos