“Banorët në Zall-Bastar rrezikojnë jetën për një urë, ndërsa qeveria me luks në Dubai”. Kështu është shprehur përfaqësuesja e PD, Jorida Tabaku, gjatë një takimi me banorët e kësaj zone. Sipas saj, reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah vjedhjen e qytetarëve dhe premtimet e pambajtura nga qeveria, pasi nuk kanë rrugë të sigurtë për të kaluar fëmijët.
“Me gjithë premtimet e shumta të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, gjendja e fshatit është katastrofike. Ne po vuajmë për gjithçka, këtu rrugë nuk ka, njerëzit janë pa punë, nëpër çadra, por pushtetarët po paguajnë miliona për të bërë qejfet e tyre. U bë 8 vjet Edi Rama, dhe 6 vjet Erjon Veliaj në fshatin Vilëz nuk ka asnjë investim”, u shprehën banorët.

Ndërkohë, Tabaku tha se vetëm 15 km larg Tiranës nuk ka absolutisht asnjë lloj investimi, ndërsa 2000 banorë të fshatit Vilë që ndodhen në anën tjetër të urës, janë të izoluar.
Duke dënuar politikën e qeverisë dhe të bashkisë për mungesën e investimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve, Tabaku apeloi për t’i thënë ndal kësaj politike dhe qeveritarëve që abuzojnë me paratë e shqiptarëve.
“Ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë për veten e tyre. Nuk mundet që qeveritarë si Edi Rama të mbajnë peng zhvillimin e qytetarëve, të mbajnë peng ekonominë e qytetarëve, të mbajnë peng të ardhmen e të rinjve. Janë banorë të Tiranës që janë të harruar, janë banorë të harruar nga qeveria, të përdorur politikisht sa herë u nevojitet për vota Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Ka ardhur koha që t’i themi mjaft përdorimit politik, t’i themi mjaft qeveritarëve që vetëm abuzojnë me paratë e shqiptarëve. Mjaft më me modelin e Rilindjes fasadë, mjaft më me lënien e qytetarëve, 15 km larg Tiranës, në harresë të plotë”, theksoi Jorida Tabaku. (A2 Televizion)