
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se “me një ekonomi të tillë, nuk prodhon dot rritje pagash me vendim qeverie, pasi ekonomia vetë duhet ta gjenerojë rritjen e pagave”.
“Sektori privat duhet ta bëjë vetë rritjen e pagave, ndjekur sigurisht edhe nga ai publik. Qeveria, në vend që të punonte për një rritje graduale pagash, dhe padyshim për meritokracinë, ka investuar në drejtime të tjera”, theksoi deputetja opozitare.
“Rritja ekonomike, e parashikuar nga qeveria, që do të ishte në nivelin 4,42%, nuk është aq. Pritshmëritë tejet optimiste të qeverisë shqiptare, do të përfundojnë në 2,2%. Shqiptarët po e vuajnë krizën e pagave të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist, si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar. Qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë, prandaj refuzojnë të marrin pjesë në votime”, u shpreh Tabaku.
“Punon shqiptari që të pasurohet oligarku, mëson shqiptari që të taksohet më pak oligarku, përpiqet shqiptari që të përfitojë përjashtime nga taksat një pakicë që sot merr vendime për Shqipërinë. Eurostat flet për 200 mijë shqiptarë të larguar që nga viti 2014 dhe ky është rreziku real për ekonominë shqiptare: largimi i atyre që duhet të bënin sot diferencën në ekonomi”, shtoi deputetja demokrate. (A2 Televizion)