
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka bërë me dije se nuk e ka pranuar propozimin e Gazment Bardhit, për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Në deklaratën e saj të bërë në mbledhjen e Kryesisë, Tabaku tha se ka marrë këtë vendim për shkak të situatës në të cilën ndodhet PD-ja, sipas së cilës interesi i përbashkët duhet të prevalojë mbi atë personal.
“Nuk ka asgjë të keqe të kesh ambicie në politikë, është njerëzore, por në situatën ku ndodhemi besoj që prevalon interesi i përbashkët më shumë se ai vetjak, e për këtë arsye: Kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike.
Por, sa kohë që jam këtu dua t’i japim demokratëve një proces real, e një mundësi bashkimi që gjykoj është i rëndësishëm si dhe një proces riorganizimi për një forcë politike moderne”.
Deputetja Jorida Tabaku
Pasi ka bërë një reflektim të situatës në të cilën ndodhet PD-ja, duke parashtruar gabimet e bëra gjatë së shkuarës, e duke thënë disa të vërteta, që pak kush ka marrë guximin ta bëjë, Tabaku, ka paraqitur 5 propozime se si mund të bashkohet Partia Demokratike.
“-Ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë. Kjo duhet të përfshijë dhe një proces ri-anëtarësimi duke pasur parasysh situatën reale në të cilën ndodhet sot PD. Sot askush nuk e di anëtarësinë reale të Partisë Demokratike, dhe nuk pranoj dot të më thoni që anëtarësia është e plotë.
-Hapjen e procesit të analizës dhe nisjen e një diskutimi me demokratët se ku dhe çfarë gabuam. E këtu kam fjalën një analizë reale politike me çdo kuti për të kuptuar potencialin e humbur dhe atë që mund të rifitojmë. Gjithashtu për të dhënë mundësi reale bashkimi në bazë përmes një proces reflektimi pasi ne nuk mund të jemi të hapur me disa; po bashkimi me të gjithë ato demokratë që për 10 vite janë lodhur duke qenë humbës, është e pafalshme dhe e padrejtë të përsërisim 6 marsin e 14 majin.
-Dixhitalizimin dhe modernizimin duke synuar shndërrimin e saj në kapilare nga një forcë politike elektorale që kemi qenë këto vite. Përhapjen e Partisë Demokratike tek të rejat edhe të rinjtë duke rivitalizuar dhe rishikuar përmirësimin e strukturave si ajo e FRPD, LDG edhe jo vetëm.
-Caktimin e 12 drejtuesve për të 12 qarqet të cilët do të fillojnë punën në terren dhe do të jenë në mbështetje të grupit drejtues të përkohshëm.
-Rënien dakord me një proces që do të na bëjë nder ne, që të promovojmë njerëz të vjetër e të rinj me integritet, me meritokraci, pa skema e intriga, dhe do t’i japim kohë reale demokratëve të gjykojnë për të ardhmen”.
Deputetja Jorida Tabaku
Në fund, ajo foli me superlativa për punën e bërë nga Enkelejd Alibeaj përgjatë kësaj periudhe aspak të vështirë për Partinë Demokratike.
Në një kohë kur PD-ja zyrtare nuk mori asnjë Bashki në zgjedhjet e 14 majit, situata brenda kësaj force politike vijon të jetë e paqartë. Disa deputetë, mes tyre edhe kreu i grupit, Gazment Bardhi kërkon që zgjedhjet për kryetar të zhvillohen në një moment të dytë dhe riorganizimi të nis nga poshtë lart, e ndërsa Kolegji i Kryetarëve ka qenë kundër, duke kërkuar që lideri i ri të zgjidhet brenda 15 korrikut. (A2 Televizion)