
Kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk është e lehtë për të, të shohë bashkëpunëtor të tij që sot janë para drejtësisë, por ka shtuar se kjo gjë e bën krenar pasi ky fenomen po ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Nga Berati, duke mos përmendur emrin e Vangjush Dakos, ndaj të cilit sot i është prerë urdhër arresti, Rama tha se ajo që e bën të ndihet krenar është fakti se si drejtësia po funksionon dhe për këtë meritat ia njeh dhe qeverisë së tij.
“Për herë të parë në historinë e popullit tonë, po goditen njerëz të lidhur me pushtetin, kjo s’është e lehtë, ka edhe gjëra që të bëjnë të ndihesh jo mirë, qoftë për arsye se nuk ke si ndihesh mirë kur shikon që dikë që deri the ka qenë në krah teje dhe tani në krah të avokatit krah prokurorit të Gjykatësit, me siguri ka ndodhur diçka, pore dh e kur shikon se si kërkohet forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë gjëra që nuk shkojnë, këto janë pjesë e një procesi dhe një historie të re dhe rruga është e përpjetë, për herë të parë në historinë e popullit tonë po ndodh kjo dhe për këtë duhet të jemi krenar për PS dhe kontributin që ne japim”, tha Rama në Berat, ku u ndal për turin e falenderimeve.
Sot SPAK lëshoi urdhër arresti për ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me akuzën për korrupsion. Dako u vetëdorëzua rreth orës 16:00 në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë dhe hetimeve të nisura ndaj tij. Përveç Dakos janë lëshuar urdhër arreste edhe për 10 ish zyrtarë të tjerë të Bashkisë, mes tyre edhe ish-drejtori i Urbanistikës, Adhurim Qahajaj. (A2 Televizion)