
Sali Berisha ka nisur takimet me aleatët e Partisë Demokratike për të diskutuar mbi modalitetet se si opozita do të paraqitet në garën e ardhshme elektorale për zgjedhjet vendore. Mëngjesin e kësaj të marte, Ilir Meta, i shoqëruar nga Petrit Vasili, ngjiti shkallët e selisë blu për të zhvilluar një takim me kryedemokratin.
Bisedimet mes tyre zgjatën rreth 30 minuta dhe zyra e shtypit të PD lëshoi një njoftim të shkurtër për shtyp: “Në takim u diskutua dhe u ra plotësisht dakord për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe Aleancën e Partisë Demokratike me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore, iniciativat parlamentare, në protestat popullore kundër pushtetit të Edi Ramës. Takimi u karakterizua nga fryma e mirëkuptimit të plotë”.
Prej kohësh, Meta e ka bërë të qartë se i konsideron primaret në PD si humbje kohe, duke shtuar presionin ndaj Berishës për të dalë me kandidatë të përbashkët. Para kamerave nuk preferoi të jepte detaje: “Folwm për zgjedhjet dhe protestat, protestat dhe zgjedhjet”.
Takimet me të gjithë partitë politike të spektrit të opozitës ishin të paralajmëruara nga vetë Sali Berisha, i cili e ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga primaret si proces i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie.
Gjatë seancës plenare pasditen e së hënës, kryedemokrati është takuar edhe me republikanin Fatmir Mediu, aleat i hershëm i PD-së. Mësohet se Berisha është shprehur dakord që opozita të paraqitet me një kandidaturë, por përsëri ka nënvizuar se duhet të jetë procesi i primareve që t’i prodhojë këto kandidatura.
Thirrje për kandidaturë të unifikuar të opozitës ka bërë edhe grupimi i Alibeajt, që prej dy ditësh ka nisur t’i kërkojë Gjykatës së Apelit, jo vetëm me shkrim, një zgjidhje të shpejtë të çështjes kujt i takon vula e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, deputetë si Ervin Salianji që nuk bëjnë pjesë në asnjë prej dy grupimeve, kërkuan që unifikimi të nisë nga ata që kanë marrë drejtimin e fraksioneve kryesore në parti. (A2 Televizion)