
Kryeministri Edi Rama reagoi pas pamjeve të publikuara nga Partia Demokratike, nga takimi i Lulzim Bashës me qytetarët në Fier.
“DY BOTË - Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman...
*Vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë. Vazhdon paralelisht edhe infektimi masiv, për vete hipur mbi makinë, nën këmbë ta hajë kush ta hajë”, shkruan Rama në Facebook.
I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, që theksoi se "Rama ndihet i frikësuar nga qytetarët e Shqipërisë që duan të sjellin ndryshimin që i nevojitet vendit tonë".
"Ka vetëm dy mundësi: një lider që punon për ju, për të sjellë ndryshimin që i nevojitet Shqipërisë, për t'i përmirësuar jetët tona, ose Rama i cili dështoi për 8 vite dhe ua dha Shqipërinë oligarkëve. Më 25 prill, Shqipëria do të fitojë dhe Rama do të humbë", lexohet në deklaratën e PD-së.
Nuk vonoi kundërreagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili shkroi sërish në Twitter: "O lula, unë jam i frikësuar për njerëzit tuaj që i bëni mish për top me grumbullimet e turpshme të papërgjegjshmërisë suaj, duke mbledhur njerëz të verbër me makina e me bori, që virusi të bējë dasëm teksa dhëndrri juaj premton ta bëjë ditën natë! Premtim i mbajtur fatkeqësisht". (A2 Televizion)