
Deklaratat e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilët kanë vendosur kushte për nisjen e bisedimeve mbi planin franko-gjerman, janë pengesë për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në Bruksel. Këtë e thotë një zyrtar europian i cituar nga Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti. Sipas tij, ky lloj qëndrimi publik, i dy udhëheqësve, pamundëson caktimin e datës së takimit mes Vuçiç dhe Kurtit. Ai thekson se mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi “pajtohen për datën e agjendës së parë”, pa treguar detaje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më herët gjatë se enjtes, se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Asnjëherë nuk u jam shmangur bisedimeve për asgjë. Por kam qenë në Bruksel 200 herë, dhe nuk jam i interesuar të shkoj për turizëm. Nëse më ftoni duhet të më njoftoni se kanë filluar formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kur ta bëjnë këtë do të vij për të diskutuar gjithçka tjetër”.
Deklarata e Vuçiç erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i BE për Politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Pak ditë më parë Kurti deklaroi se themelimi i Asociacionit nuk është prioritet, por javën e kaluar ai shpalosi 6 kushte për formimin e tij. SHBA-ja dhe BE-ja kanë shtuar presionin ndaj Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin. (A2 Televizion)