
Kurti dhe Vuçiç do të dialogojnë sërish në Bruksel më 2 maj. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, konfirmoi takimin e radhës të nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa bëri dhe një njoftim shumë të rëndësishëm.
BE zyrtarizoi formimin e Komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti,” deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
BE njoftoi se udhëheqës i këtij komisioni do të jetë i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, kurse Serbia do të përfaqësohet nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviç.
“Komisioni do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të nivelit të lartë për dialogun, i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.”
Formimi i këtij komisioni përbën dhe hapin e parë zyrtar drejt nisjes së zbatimit të marrëveshjes së pranuar më 27 maj në Bruksel nga Kurti dhe Vuçiç dhe pas pajtimit për aneksin e implementimit në takimin e Ohrit më 18 mars.
Dokumenti përmban 11 pika, ku theksohet se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe çon vendet në një njohje de fakto. (A2 Televizion)