
Entuziazmi me të cilin e pritën dibranët ushqeu shpresën e Sali Berishën për ta kthyer djathtas drejtimin e bashkisë. Në një takim të zhvilluar në sheshin e qytetit, Berisha kërkoi votën për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ismail Uka, ndërsa nuk i kurseu mesazhet ndaj kundërshtarit.
“Kjo erë shprese, ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën, i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij, është në kohërat e numëruara të fundit të regjimit të tij despot, monist. Ky dëshpërim shprehet në fushatën e tij të bazuar në banalitetin e një njeriu që nuk ia lejon kurrë vetes në publik”.
Sali Berisha
Edhe nga Dibra përsëriti thirrjen për debat mes kandidatëve.
“Ata nuk ballafaqohen dot me kandidatët rivalë, nuk del këtu rivali i tij të ballafaqohet në këtë shesh, në studio televizive dhe kudo me Ismail Ukën. Nuk dalin para jush se ata përfaqësojnë një parti pushtuese. Dalin nga bodrumi i Edi Ramës”.
Sali Berisha
Hapja e një tjetër segmenti të Rrugës së Arbërit nga Kryeministri pak ditë më parë, sipas Berishës është një dështim, pasi siç tha ai gjithë projekti duhet të kishte përfunduar vite më parë.
“Ne e ndërpremë dhe vendosëm të spostojmë tunelin në kuotën ku na këshilloi kompania e konsulencës. Ne do e kishim mbaruar tre herë atë. Këta shkuan dhe shpuan aty ku na thanë se nuk shpohet. Prandaj tani ecën siç po ecën”.
Sali Berisha
Para dibranëve konfirmoi edhe njëherë se është kundër projektit të hidrocentralit të Skavicës që sipas Berishës sjell pasoja negative për zonën.
“Thirrja ime për dibranët, ta doni Dibrën sa e don Sali Berisha. Detyra është ta doni më shumë, por të paktën ta doni sa e dua unë”. (A2 Televizion)
Sali Berisha