
Para demokratëve që janë dhe bashkëqytetarët e tij, Enkelejd Alibeaj sulmet i drejtoi përsëri ndaj Sali Berishës, duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë e përçarjes së PD.
“Partia Demokratike e të gjithëve ne, Partia Demokratike që drejtoj, gjendet, prej një viti e gjysmë, nën një sulm të pareshtur. Partia jonë po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha. Pse na godet? Të gjithë e dimë hallin personal të tij, shpalljen non grata për inkurajim të korrupsionit madhor dhe minim të demokracisë nga aleati ynë më i madh perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ai kërkoi aleancë me partitë e vogla që janë në parlament dhe jashtë tij, po siç tha vend për bashkëpunim nuk ka me Ramën, Berishën dhe Metën.
“Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja”.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në 14 Maj, Alibeaj premton një reformim të Partisë Demokratike përmes zgjedhjes së organeve të reja drejtuese.
“PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial përvitin 2025”.
Këto deklarata i bëri gjatë prezantimit të kandidatet së PD në Fier, Eriselda Zotaj,për të cilën tha se ka një program shumë ambicioz për qytetin. Pavarësisht se nuk garon në shumë bashki, Alibeajt thotë se marrin pjesë në zgjedhje për të mbrojtur frymën euroatlantike të vendit. (A2 Televizion)