
NATO ka shtuar praninë e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria apo përshkallëzon situata. Ishte kjo porosia dhe garancia e qartë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Duke folur në selinë qendrore, ai konfirmoi se situata po monitorohet nga afër në terren dhe shprehu gatishmërinë për dërgimin e më shumë forcave të tjera në ndihmë të KFOR-it nëse do të jetë e nevojshme.
“Vetëm prania e trupave të NATO-s ndihmon në qetësimin e situatës, në rast nevoje ne mund të zbarkojmë në rajon dhe mund të rrisim praninë tonë atje, për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi të situatës dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Gjithashtu i bëri thirrje liderëve në Kosovë e Serbi që të përmbahen nga retorika që nxit tensione dhe dhuna, dhe kërkoi angazhimin e tyre maksimal në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Kurti shpalosi aspiratat e vendit të tij për aderim në NATO, teksa konfirmoi se do të vijojë me zbatimin e vendimit për heqjen e targave të lëshuara që në kohën e Millosheviçit për veriun e Kosovës.
“Në një anë keni shtetin demokratik të Kosovës dhe policinë profesionale dhe në anën tjetër keni struktura ilegale të Serbisë që kanë ngritur barrikada. Në këtë sens nuk mund të ketë asnjë tolerim për krimin e organizuar”, u shpreh Kurti.
Nga ana tjetër, Vuçiç pranoi qëndrimet e kundërta me Stoltenberg lidhur me tensionet e fundit në rajon, me përjashtim të rëndësisë vendimtare të KFOR-it dhe NATO-s për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Presidenti serb pohoi se I dorëzoi kreut të NATO-s një listë dhe prova të inkursioneve të forcave speciale të Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe u shpreh pesimist sa I përket takimit me Kurtin.
“Nuk më pëlqen t'ia hedh fajin askujt tjetër, as nuk më pëlqen të përdor këto histori fëminore. Nesër do të kemi diskutime të vështira. Ne nuk pajtohemi pothuajse për asgjë, por ajo që është e rëndësishme është se Serbia do t'i përmbahet ligjit ndërkombëtar, rezolutës së OKB-së, kartës së OKB-së, marrëveshjes së Brukselit dhe gjithçkaje që është nënshkruar”, u shpreh Vuçiç.
Në këto takim u diskutua edhe për luftën në Ukrainë, me NATO-n që kërkon nga Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. Vuçiç nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por konfirmoi se në Serbi nuk do të ndërtohet dhe nuk do të ketë asnjë bazë ushtarake të Rusisë, pasi vendi I tij do të mbajë një status neutral. (A2 Televizion)