
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Dorian Teliti, nga selia blu ka reaguar lidhur me taksën e re të pronës që është propozuar nga qeveria. Sipas Telitit, taksa e re është një barrë për qytetarët dhe do kushtojë deri në 50 milionë Euro në vit.
“Një vendim qeverie në pikun e verës, kur vëmendja publike është më e ulët se kurrë, i marrë gjysmë fshehurazi dhe në mënyrë banditeske, pa dëgjesa, pa konsulta, pa e vrarë mendjen, do t’u kushtojë familjeve shqiptare pa dallim partie, krahine apo të ardhurash, 50 milionë euro në vit. Kjo, sepse çmimi i referencës së pronës është rritur me 50-75 për qind”, tha Teliti.
“Partia Demokratike e dënon këtë akt poshtërsie qeveritare, që takson pa benefite dhe merr pa dhënë, duke e kthyer qeverinë, nga mbrojtëse e interesave të qytetarit, në taksidar pushtuesi të brendshëm. A iu kujtohet shakaja e madhe me Këshillimin Kombëtar, ku Edi Rama pyeste shqiptarët për Ballkanin e hapur, Surrelin e mbyllur, hashashin dhe ngrohjen globale, por jo për tema jetike për ta? Siç është për shembull rritja e referencës dhe taksës së pronës. Ai e dinte se kjo është një përgjigje që nuk mund të manipulohej, siç bëri me pyetjet e tjera. Këtë pyetje e la për t’ia bërë vetes në gusht dhe po vetë u përgjigj”. (A2 Televizion)