Taksimi i të vetëpunësuarve, Ministria e Financave po diskuton tre variante të mundshme

Nga A2 CNN
2 Mars 2022, 16:39 | Ekonomi
Taksimi i të vetëpunësuarve, Ministria e Financave po diskuton

Qeveria do të taksojë të vetëpunësuarit në profesionet e lira, të cilët aktualisht nuk paguajnë taksa, duke përfituar nga lehtësia që iu është dhënë bizneseve të vogla me xhiro deri më 14 milionë lekë në vit. Kjo bazuar edhe në rekomandimin e bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për A2 CNN se tre janë variantet në diskutim: e para taksimi 10% mbi fitimin e realizuar; 4% mbi totalin e të ardhurave neto ose bazuar në tabelën e pagave. Burimet e mësipërme shpjegojnë se taksimi i të vetëpunësuarve synon të adresojë ngarkesën fiskale të të vetëpunësuarve në profesionet e lira, pasi ka mospërputhje mes të punësuarve në këto profesione, që taksohen sipas taksës progresive.

Ndryshimet mbi Ligjin për tatimin mbi të ardhurat pritet të hyjnë në fuqi, vitin e ardhshëm dhe ato do të shoqërohen edhe me rritje të të ardhurave në buxhet. Pak javë më parë, Banka Botërore evidentoi në një raport se janë rreth 8 mijë persona fizikë të vetëpunësuar në Shqipëri, më shumë se 60 për qind janë juristë, dentistë dhe punonjës të teknologjisë së informacionit. Institucioni financiar ndërkombëtar përllogarit se nëse të vetëpunësuarit do të taksoheshin, në buxhetin e shtetit do të futeshin më shumë se 1 miliard lekë të ardhura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos