
Pandemia ka ndikuar në digjitalizimin e marketingut, duke bërë që edhe kompanitë që nuk kanë qenë më parë online të jenë aktive. Konfirmimi erdhi nga ekspertja e marketingut Eni Nasi në Business News në A2 CNN, e cila sugjeron tregtinë online për nxitjen e mëtejshme të efektivitetit.
“Edhe kompanitë shqiptare kanë filluar të përshtaten, ka ndikuar edhe pandemia, kanë filluar dhe kompanitë që nuk kanë qenë aktive online. Ajo që mund ta nxiste efektivitetin është edhe tregtia online. Ajo që synojmë është të bëjmë edhe blerjen e menjëhershme se shumë pak janë bizneset e që e bëjnë këtë”.
Sipas Nasit ajo që synohet është transaksioni i plotë online pasi deri më tani është më shumë i përhapur versioni i pagesës cash në momentin që merr produktin.
“Pagesa cash është versioni më i përhapur dhe ata që kanë bërë porosi online dhe transaksioni nuk kryhet i plotë online. Në kushtet që ishim duhet të ishim zhvilluar më shumë se kaq, por ritmi është i lartë. Të gjithë që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me klientin përfundimtar e kanë të domosdoshme të kenë një faqe në Instagram e Facebook e mira do të ishte kishin faqe web. Sepse kërkon një punë të vazhdueshme. Është e domosdoshme që të ofrohet edhe pagesa me bankat, ky proces ka disa hapa. Bizneset e vogla zgjedhin të promovojnë faqet e tyre me të dhëna minimale”.
Ajo e konsideron marketingun edhe si një mundësi të madhe për punësimin e të rinjve shqiptarë (A2 Televizion)