Sanksionet tronditin bursat, rritet nafta dhe gazi, rubla ruse zhvlerësohet me 30%

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2022, 15:36 | Ekonomi
Sanksionet tronditin bursat, rritet nafta dhe gazi, rubla ruse zhvlerësohet

Pushtimi rus i Ukrainës po jep efekte të forta në tregjet financiare botërore, duke ndryshuar edhe gjeografinë e investimeve dhe duke nxitur rritje të çmimeve për lëndët e para. Bursat në Europë e nisin tregtimin me rënie 1% deri në 2%, ndërsa humbje pati edhe në Azi.

Përjashtimi i bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, po detyron shumë kompani dhe institucione financiare të heqin dorë nga aksionet e tyre në Rusi. I tillë, është rasti i Fondit Sovran Norvegjez, më të madhit në botë, që deklaroi se do të tërhiqet nga pjesëmarrja në 47 kompani ruse, si dhe do të nisë shitjen e të gjitha letrave me vlerë të qeverisë ruse. Edhe gjigandi i naftës British Petroleum, që konsiderohet një prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në Rusi, do të tërheqë thuajse 20% të aksioneve të tij në kompaninë shtetërore ruse të naftës, Rosneft.

https://a2news.com/2022/02/27/cfare-eshte-swift-dhe-si-demtohet-rusia-nese-perjashtohet/

Një reagim i tillë shtyu në rritjen e çmimeve për lëndët e para. Gazi natyror dhe nafta u rritën ndjeshëm, teksa çmimi bruto për fuçi arriti në mbi 102.7 dollarë. Që prej nisjes së pushtimit, edhe çmimet e grurit dhe misrit janë rritur mbi mesataren nga frika e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit.

Efekti në ekonominë ruse ishte i menjëhershëm, me rublën ruse që pësoi një rënie me mbi 30% ndaj dollarit. Ky zhvlerësim i fortë detyroi Bankën Qendrore të rrisë normën bazë të interesit në 20%.

Por efektet mund të ndihen edhe në Perëndim, ku krahas rritjes së mëtejshme të çmimeve, shumë kompani që operojnë në Rusi, apo kanë aksionerë rusë rrezikojnë financat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos