
Te fushat sportive të kompleksit “Skënder Halili”, aty ku qindra fëmijë stërviten me ëndrrën që një ditë të luajnë me skuadrën e parë të Tiranës, takojmë edhe Isak Alechenu. Ai është një djalosh nga Nigeria, i cili e adhuron Shqipërinë dhe Tiranën. Ëndrra dhe objektivi i tij është një dhe i vetëm, të luajë një ditë me fanellën bardheblu dhe pse jo të përfaqësojë kombëtaren shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare.
Ndonjëherë, pasioni për të bërë atë që ti do më shumë, të bën të udhëtosh qindra mijëra kilometra larg shtëpisë tënde, të kalosh kufijtë dhe t’ia nisësh gjithçka nga e para, në një vend me zakone të tjera, gjuhë tjetër e kulturë tërësisht ndryshe nga vendi yt. E tillë është historia e Isak Alechenu, djaloshit 15- vjeçar që sapo e takon shpreh dashurinë e tij për fanellën e Tiranës. Ai ka një vit që është pjesë e klubit bardheblu, ndjek çdo ndeshje të skuadrës në stadium dhe e përjeton njësoj sikur të ishte njëri prej ultrasve të skuadrës. “Jam kthyer në një shqiptar”, thotë ai, me shaka, pasi dashuria dhe mikpritja që ai ka gjetur në vendin tonë është për t'u admiruar.
Për A2 CNN, ai tregon pse e pëlqen kaq shumë Shqipërinë dhe pse ka zgjedhur Tiranën. “Këtu ka luajtur babai im dhe pikërisht për ekipin e Tiranës”, thotë ai. “Është vend i bukur, me shumë, shumë kulturë dhe më pëlqejnë edhe njerëzit. Ky është viti im i parë dhe synoj që të jem kampion. Më pëlqeu vetë ekipi, pa ndikimin e babit”.
- Te Tirana si të kanë pritur?
- Ishte një atmosferë shumë e bukur. Lojtarët ishin korrekt dhe mikpritës dhe më pëlqen shumë kjo harmonia që kemi midis njëri-tjetrit.
- Je mësuar edhe me kulturën dhe zakonet e vendit?
- Po jam mësuar shumë, edhe nga njerëzit, më kanë ndihmuar.
- A ke pasur ndonjë histori që vështirë ku të kanë cilësuar si një person i ardhur nga një tjetër vend tjetër?
- Normal, nga ngjyra është gjë që mund ta shohësh, por gjithsesi nuk më ndikon në jetën time.
- Je një mbrojtës, a ka një idhull Isak, që dëshiron të bëhet kur të rritet?
- Idhull nuk kam, por një lojtar që më pëlqen më shumë është Mbappe dhe dua të arrij atë nivel në jetën time.
Isak Alechenu nuk është një emër i padëgjuar për opinion sportiv, pasi atë e kemi parë dhe në listën e fundit të kombëtares së 15-vjeçareve. Një emër i çuditshëm që të zgjon vëmendjen. Isak Alecenu, i rritur në Shqipëri nga dy prindër që e dashurojnë Shqipërinë dhe e mendojnë këtu të ardhmen e tyre sigurisht dhe për djaloshin 15-vjeçar nuk mund të kishte rrugë tjetër, ta zgjidhte Shqipërinë dhe të ëndërronte që një ditë të jetë pjesë e kombëtares së parë.
Dëshira e tij është të plotësojë ëndrrën e të atit, Abraham, atë që ai nuk bëri dot. Deri më të tani është në rrugën e duhur për të përfaqësuar një ditë dhe skuadrën shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare. Isak ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit sportiv që kur ai ishte fare i vogël. Aftësitë e mira teknike, si dhe shpirti luftarak që tregon në çdo ndeshje që luan të bën të besosh se shumë shpejt Tiranës do t’i bashkohet një mbrojtës cilësor dhe me të ardhme premtuese. Vullneti dhe pasioni që Isak ka në ditë do të shpërblehet. (A2 Televizion)