
Çmimi i karburanteve në vend do të shtrenjtohet. Një projektligj i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon krijimin e një Agjencie Shtetërore për mbajtjen e rezervave të karburanteve. Për financimin e kësaj shoqërie, kompanitë e naftës do të paguajnë një tarifë shtesë, të cilën Shoqata e Hidrokarbureve llogarit se do të rrisë çmimin me 20 lekë.
Kjo do ta çonte totalin e taksave dhe tarifave shtetërore që rëndojnë mbi çmimin e naftës në 120 lekë. Nga ana tjetër, një rritje do të ishte e papërballueshme për drejtuesit e mjeteve, që ankohen për çmimin ekzistues, një ndër më të shtrenjtët në Europë. Sipas GlobalPetrolPrices, një litër naftë në vend kushton 1,45 euro, ndjeshëm më i lartë se vendet e rajonit, që luhaten nga 1,29 euro në Malin e Zi, deri në 1,12 euro në Maqedoninë e Veriut.
Sipas qeverisë, kalimi i detyrimit për mbajtjen e rezervave të karburanteve nga privati tek shteti, do të ulte në fakt çmimet në treg. Por për kompanitë, ato deri më sot e kanë zbatuar ligjin e rezervave, duke llogaritur edhe rezervat e anijeve dhe atë në pikat e karburanteve. Sipas qeverisë, mbajtja e këtyre rezervave do të mbronte vendin nga rritja e papritur e çmimeve në bursat ndërkombëtare. (A2 Televizion)