
Sipërmarrësit e huaj riinvestuan në Shqipëri pjesën më të madhe të fitimeve të realizuara gjatë 2022-shit, ndryshe nga sa kishte ndodhur në vitet paraardhëse.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e parave të fituara nga të huajt që u futën sërish në zinxhirin ekonomik të vendit arriti në gati 200 milionë euro. Kjo shifër është zgjeruar me 69 për qind në raport me vitin 2021.
“Kjo është një shenjë e mirë. Do të thoja se kjo ka shumë rëndësi pasi tregon për vullnet të investitorëve të huaj për ta mbajtur kapitalin brenda Shqipërisë. Kjo vjen si pasojë e disa faktorëve si dhe rritjes së besimit ndaj ekonomisë shqiptare.”
Mark Crawford, investitor nga SHBA
Një pjesë e këtyre fitimeve rezulton të ketë shkuar për të riinvestuar në industrinë nxjerrëse të hidrokarbureve, shërbimet bankare apo ato financiare.
Por pjesën më e madhe e fondeve, ashtu si një pjesë e mirë e shqiptarëve po bëjnë vitet e fundit, është shpenzuar për të blerë apartamente apo pasuri të tjera të paluajtshme.
“Kjo duket sikur nuk ka kuptim. Shqiptarët po ikin dhe investimet po shkojnë te pronat apo dyqanet. Ndoshta në afatshkurtër këto investime arrijnë të ruajnë kapitalin, por në afatgjatë nuk janë investimet më të mira të mundshme.”
Mark Crawford, investitor nga SHBA
Në një kohë që struktura ekonomike e vendit më shumë se kurrë ka nevojë për rregullime, ekspertët sugjerojnë krijimin e kushteve fiskale dhe juridike për të diversifikuar investimet e huaja. (A2 Televizion)