Të mbash radhë për t’u ngjitur në majën e botës e të kthehesh me variantin më të rrezikshëm të Covid-19

Nga A2 CNN
7 Qershor 2021, 19:27 | Bota

Këtë pranverë ka pasur një dyndje alpinistësh të cilët janë ngjitur në malin Everest, në majën më të lartë në botë duke krijuar radhë të mëdha mes rritjes së rasteve të koronavirusit në Nepal.

Pandemia detyroi autoritetet të mbyllnin zonën gjatë vitit të kaluar, ndërsa këtë pranverë pati grumbullime të mëdha të alpinistëve drejt majës më të lartë të botës.

Ndërkohë, Nepali është duke kaluar një valë shkatërruese nga koronavirusi, ndërsa kryeministri Sharma Oli ka bërë thirrje për ndihmë nga shtetet e fuqishme. Britania dhe BE i janë përgjigjur me dërgimin e disa respiratorëve dhe pajisjeve të tjera mjekësore.

Nepali është goditur nga një variant i veçantë i koronavirusit, i cili ka ngjallur frikë pasi ende është e paqartë nëse vaksinat janë efikase ndaj tij. Deri tani, në Mbretërinë e Bashkuar janë zbuluar 23 raste të variantit të Nepalit.

Për këtë mutacion, shkencëtarët kanë frikë se mund të jetë një kombinim i variantit indian me atë të Afrikës së Jugut. Ky variant është përhapur edhe në SHBA, Indi dhe në Portugali dhe ekziston frika se mund të jetë përhapur në shumë shtete të tjera të botës nga alpinistët që u ngjitën në Everest. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos