Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona ditën e premte pasi janë përfshirë në një konflikt, ku kanë qëlluar edhe me armë zjarri.
Bëhet e ditur se policia ka marrë informacione për të shtëna me armë në lagjen numër 18 në Durrës dhe ka bërë të mundur të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Sipas policisë, shtetasi që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër së bashku me shokun e tij në momentin që kanë parë Policinë kanë tentuar të largohen me shpejtësi me automjet, por janë kapur në flagrancë gjatë ndjekjes nga shërbimet e policisë.
Policia bëri të mundur bllokimin e automjetit si dhe vënien në pranga të shtetasve A.B., 26 vjeç (pasagjer në mjet), i cili dyshohet se është personi i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe E.K., 30 vjeç, (drejtuesi i mjetit) të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip pistoletë me disa fishekë luftarakë.
Shtetasit e arrestuar njihen si persona me precedentë të mëparshëm në fushën e krimeve kundër personit dhe kundërshtimit të punonjësve të Policisë. (A2 Televizion)